Nëse ka diçka me të bezdisur sesa vetë aknet, janë shenjat që ato lënë pas në lëkurë. Dhe po flasim për shenjat e inflamuara të kuqe, të cilat mbeten për të na kujtuar se nuk shpëtuam aq thjeshtë nga ajo puçrra e madhe në mes të ballit.Megjithatë ka shpresë dhe kemi dy zgjidhje:
– Të kesh durim të gjatë dhe të presësh ciklin natyral ripërtëritës të lëkurës sa të kujtohet të zbehë shenjat e tua.
– Kujdesi ndaj lëkurës!
Me shenjat e akneve mund të të ndihmojnë një sërë përbërësish të cilët gjenden në produkte të ndryshme. Megjithatë, nëse do të të duhet të zgjedhësh vetëm njërin, ai është mbrojtësi ndaj diellit.
Dielli është shkaku kryesor i theksimit të shenjave të akneve, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse mbiprodhim i pigmentit në lëkurë, që stimulohet nga inflamacioni i akneve.
Përveç kremit të diellit, që është i domosdoshëm dhe nuk duhet të mungojë asnjë ditë të vitit, disa përbërës të tjerë që mund të ndihmojnë në zbehjen e shenjave të akneve janë retinoidet, acidi azelaik, vitamina C, arbutina, niacinamidet, acidi kojik, AHA etj.
Të tillë përbërës ndihmojnë në zbehjen e hiperpigmentimit në mënyrë të drejtpërdrejtë duke stimuluar ripërtëritjen qelizore ose duke ngadalësuar procesin e sintezës së melaninës në lëkurë.