Në disa raste “gingivitis” mund të jetë i pakëndshëm dhe me dhimbje, por në disa raste është i padukshëm dhe pa dhimbje, që ngadalëson zbulimin e tij.
Me siguri që nuk ka person i rritur i cili të paktën një herë në jetën e tij nuk ka pasur pezmatim të vogël të mishit të dhëmbëve ose gingivitis. Bëhet fjalë për një pezmatim i shkaktuar nga bakteriet, dhe përderisa në disa raste është i përkohshëm dhe i padëmshëm, në disa raste, mund të shpie në prishjen e mishit dhe kockave të dhëmbëve, dhe madje edhe humbjen e dhëmbëve.
Te shumica e njerëzve vie deri te pezmatime të vogla të mishit të dhëmbëve, të cilat nuk janë të rrezikshme, dhe i shkakton ‘guri i dhëmbëve’ në të cilin grumbullohen bakteriet që shkaktojnë pezmatim të mishit, si dhe gjakderdhje gjatë pastrimit me brushë të dhëmbëve. Në këtë fazë, edhe pse mishi është i pezmatuar dhe i irrituar, nuk ka rrezik për dhëmbët tuaj. Në shumicën e rasteve, pezmatimi i mishit të dhëmbëve shërohet vetë, pa asnjë lloj trajtimi.
Por, kur gingivitis nuk shërohet për një kohë të gjatë mund të kthehet në ‘parodontozë’, e cila mbart shumë rreziqe. Bëhet fjalë për procesin e tërheqjes së mishit të dhëmbëve dhe kockave (eshtrave) nga dhëmbët, e cila përfundimisht mund të çojë në humbjen e dhëmbit ose më shumë dhëmbëve.
Gjatë tërheqjes së mishit të dhëmbëve formohen xhepa me hapësirë të vogël, ku grumbullohet pezmatimi. Ashtu siç trupi lufton kundër pezmatimit, gjegjësisht kundër toksineve të dëmshme që krijojnë bakterie, enzimet e mira fillojnë të ndikojnë në kockë dhe indin lidhës i cili i mbanë dhëmbët në vend. Kur kjo ndodh, dhëmbi fillon të lëkundet, e cila duhet të shërohet me intervenim kirurgjikal.
Çka e shkakton pezmatimin e mishit të dhëmbëve?
Siç e kemi thënë tashmë, pezmatimin e mishit të dhëmbëve e shkakton ‘guri i dhëmbëve’, por ka edhe shkaktarë të tjerë që mund të nxisin pezmatimin.
- Ndryshimet hormonale – gjatë shtatzënisë, pubertetit, menopauzës, menstruacioneve
- Imuniteti i dobësuar – për shkak të sëmundjes, ushqimit të dobët, stresit
- Diabeti – sheqeri mund t’i potencojë shumë pezmatime në trup e gjithashtu edhe pezmatimin e mishit të dhëmbëve.
- Pirja e duhanit – pengon rigjenerimin e indeve
- Gjenetika – ndokush në familje ka probleme me mishin e dhëmbëve
Simptomet
Në disa raste “gingivitis” mund të jetë i pakëndshëm dhe me dhimbje, por në disa raste është i padukshëm dhe pa dhimbje, që ngadalëson zbulimin e tij. Por, personat që kujdesen për higjienë të rregullt të dhëmbëve mund relativisht lehtë t’i zbulojnë shenjat e ‘gingivitisit’.
1. Gjakëderdhje e lehtë, gjatë pastrimit të dhëmbëve me brushë
2. Mishi i dhëmbëve i skuqur, enjtur dhe i ndjeshëm
3. Era dhe shija e keqe në gojë
4. Tërheqja e mishit të dhëmbëve
5. Formimi i xhepave të thellë mes mishit dhe dhëmbëve
6. Lëkundja e dhëmbëve
7. Ndryshime në kafshim
Dhe mbani në mend se disa njerëz nuk i vërejnë simptomet, që nuk do të thotë se nuk kanë gingivitis. Për këtë janë të nevojshme vizita të rregullta tek dentisti juaj, i cili mund që në fazën e hershme ta shërojë pezmatimin dhe me këtë të shpëtojë dhëmbët tuaj.
Si shërohet gingivitis-i?
Shërimi varësisht nga shkalla e sëmundjes, bëhet për zvogëlimin e enjtjes, madhësisë së xhepave të krijuar, si dhe progresit të sëmundjes. Trajtimet varen nga faza e sëmundjes dhe si reagon personi ndaj trajtimeve të caktuara dhe natyrisht gjendja e përgjithshme e çdo personi. Opcionet janë të ndryshme nga ato jo-kirurgjikale deri te kirurgjikale, me të cilat kthehet indi lidhës i dhëmbëve.
Si ta parandalojmë gingivitis-in?
Parasegjithash, më e rëndësishme është higjiena personale e dhëmbëve, gjegjësisht pastrimi i rregullt i dhëmbëve nga ‘guri i dhëmbëve’ tek dentisti dhe higjiena e rregullt, apo larja e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë dhe pastrimi me fije peri.
Bleni pastë dhëmbësh kualitative, sidomos ato të destinuara për mishin e ndjeshëm të dhëmbëve, që është e rëndësishme për njerëzit që kanë probleme me infeksionet e shpeshta. Ka edhe lëngje të ndryshme për shpërlarjen e dhëmbëve të cilat kanë veti antibakteriale dhe ndihmojnë në zvogëlimin e grumbullimit të bakterieve në zgavrën e dhëmbëve.