Për Joanna Vendittin, mamanë kanadeze të binjakeve Mia dhe Everly, ideja e hapjes së një blogu kishte lindur që në fillesat e shtatzënisë së saj të tretë. Ajo dëshironte të ndante çdo hap të rrugëtimit të saj 9-mujor me nënat e tjera dhe të shkëmbente me to ekperiencat rreth ushqyerjes së shëndetshme, kujdesit për peshën, analizave mjekësore, përgatitja e garderobës së fëmijëve etj etj.
Mendonte se kishte marrë gjithë informacionin për të cilin kishte nevojë, mirëpo ajo që do të ndodhte më pas do të ishte një surprizë e vërtetë për të. Ajo solli në jetë dy vogëlushet e saj në javën e 37-të të shtatzënisë me ndërhyrje cezariane. Pas shtatë ditëve të kaluara në spital, do të niste edhe karvani i problemeve për nënën e re. Edhe pse e kishte provuar ndjesinë e mëmësisë me dy fëmijët e tjerë përkatësisht 4 e 5 vjeç, gjërat do të ishin krejt ndryshe me binjaket, pasi vogëlushet e sapolindura do të shfaqnin që në ditët e para probleme me jashtëqitjen.
Vetë mamaja e re do të shprehej e tronditur pasi ato kishin diarre të shpeshtë, aq sa ajo detyrohej t’u ndërronte pelenat 20 herë në ditë. Por, jo vetëm kaq, zona rreth anusit ishte vazhdimisht e mavijosur dhe vajzat kishin plagë të hapura. Fillimisht mjekët do të aludonin se vajzat ishin intolerante ndaj laktozës, por situata sërish do të mbetej e pandryshueshme. Pas shumë analizave e kontrolleve periodike mjekët arritën në konkluzionin se Everly dhe Mia ishin intolerante ndaj fruktozës, një substancë që gjendet tek qumështi i gjirit. Joanna vendosi ta ndajë historinë e saj në blogun e saj, por edhe në shtypin on line duke paralajmëruar të gjitha nënat të tregohen sa më të kujdesshme dhe të mos injorojnë të gjitha shenjat e mësipërme./Burimi: “Daily Mail“