“Dita e më shumë bimë, më pak krip” mbahet më 29 gusht me qëllim senzibilizimi të problemit në rritje të sasisë së tepërt të natriumit në ushqim dhe kyçjes në iniciativën për zvogëlimin e sasisë së kripës në ushqim.
Përdorimi i tepërt i kripës shkakton rritjen e tensionit të gjakut i cili lidhet me paraqitjen e sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru, gjegjësisht me sëmundje të cilat sot janë shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. Konsumimi i tepruar i kripës lidhet edhe me kancerin e stomakut, dhimbjet e veshkëve dhe paraqitjen e gurëve në veshkë, osteoporozën dhe shfaqjen e edemës.
Nga të gjitha strategjitë e shëndetit publik, zvogëlimi i përdorimit të kripës në ushqim është një nga masat më të lehta të mundshme të shëndetit publik. Për zbatimin e saj më me rëndësi është bashkëpunimi ndër-sektorial, sidomos me industrinë ushqimore, me qëllim zvogëlimin e përmbajtjes së kripës, gjegjësisht kripës në proçesin e prodhimit, futjen e rregullores ligjore me etiketimin e detyrueshëm të përmbajtjes së natriumit, si dhe masave shëndetësore dhe arsimore në fushën e promovimit të të ushqyerit e duhur.
Gati 80% kripë që e konsumojmë gjatë ditës i referohet kripës së “fshehtë”
Pjesa më e madhe e kripës që e marrim në organizëm fshihet në ushqimin e gatshëm apo gjysmë të gatshëm. Para blerjes lexoni me kujdes në etiketën e prodhimit sa është sasia e natriumit.
Shmangni ushqimet me përmbajtje relativisht të lartë të kripës:
produktet e mishit të thatë: sallam, salçiçe, pashtetë dhe produkte të tjera të ngjashme;
pemë dhe perime të konzervuara;
“ushqim të shpejtë” si pica,hamburgerë apo patate të skuqura;
ushqime të përpunuara të ngrira;
salca të gatshme, mustardë, majonezë, supë në qese;
ushqime brejtëse (snacks) të tilla si patatina, shkopinj, kikirikë, fistikë, kokoshka;
djathra të fortë, djathra të butë (për lyerje), peta brumi;
pjekurina si buka, pasta dhe ‘kornfleiks’ tërshëre apo misri;
kujdes në konsumimin e ujit mineral i cili përmbanë natrium.
Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH): konsumimi ditorë i kripës për njerëz të rritur të shëndetshëm është më pak se 5g kripë apo më pak se 2g natrium, 3.51g kalium që të zvogëlohet rreziku ndaj sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru.
Përdorni bimë melmesash – zbuloni shije të reja dhe interesante
Bimë melmesash si borzilok, rigon, trumzë, shivë (chives), nenexhik, rozmarinë, gjethe dafine si dhe një seri të erëzave ekzotike përmirësojnë dhe pasurojnë shijen e ushqimit. Në shtëpi, me pak angazhim, mundë të kultivoni bimë melmesash dhe t’i përdorni të freskëta në përgatitjen e përditshme të gjellëve për familjen. Përgatitni përzierjen tuaj bimore me kombinim të bimëve të caktuara dhe përdorni si zëvendësim të kripës (piper i kuq, hudhër pluhur, piper të zi, sherbelë etj.), i thani mirë dhe bluani në mulli për kafe apo ‘blender’ që t’i bëni pluhur. Mjafton të merret pak kripë melmesash dhe të spërkatet mbi patatet e pjekura apo perimet.
Eksperimentoni me kombinime të ndryshme derisa të zbuloni përzierjen më të mirë e cila ju pëlqen. Bimët e melmesave janë zëvendësimi më i mirë i kripës!/kosovarja.ch/