Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është i mbyllur për fluturimet e rregullta që nga marsi i këtij viti. Si në shumë vende të botës, edhe Kosova kishte mbyllur aeroportin e vetëm të saj, si masë mbrojtëse ndaj COVID-19.
Por tashmë pritjeve të të gjitha atyre që duan të udhëtojnë, u erdhi fundi. Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që, ANP “Adem Jashari” të hapet që nga 28 qershori (të dielën).
Megjithatë ai do të jetë i hapur pjesërisht, vetëm për linjat e rregullta ajrore të domosdoshme që kthehen brenda natës. Ndërsa rekomandohet që udhëtarët të kenë RT-PCR testin negativ, jo më të vjetër se 4 ditë, por që nuk është i obliguar.
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe udhëzuesin për udhëtarët që do të udhëtojnë nga dhe drejt ANP “Adem Jasharit”.