Kontrollimi gjinekologjik është diçka për të cilin secila femër duhet që të kujdeset dhe ta konsiderojë atë si një obligim. Të jeni një femër e bukur dhe moderne nuk do të thotë që vetëm të dukeni bukur, apo të visheni bukur, por më e rëndësishmja është që të keni kujdes për shëndetin tuaj, e posaçërisht për shëndetin e pjesëve tuaja intime.
Duke patur parasysh shpeshtimin e disa infeksioneve më pak të rrezikshme të organeve reproduktuve, sëmundjeve të llojllojshme seksualisht të transmetueshme, e deri tek sëmundjet shumë serioze, sic është kanceri i mitrës dhe vezorëve, është shumë i rëndësishëm kontrollimi gjinekologjik si masë preventive për këto sëmundje.
Për të gjitha këto arsye, ne kemi kontaktuar dr. Göksu GÖÇ, mjek Specialist Obsteter Gjinekolog në Spitalin Amerikan, dhe në emër të të gjitha juve i kemi parashtruar disa pyetje, të cilat janë më të shpeshta në fushën e gjinekologjisë.
Intervistoi: Edita Sahiti-Bekteshi
I nderuari dr. GÖÇ. Së pari ju falënderojmë për kohën dhe për gatishmërinë tuaj që të jepni përgjigje në shumë pyetje të cilat preokupojnë femrën sot. Pyetja të cilën shumica e femrave duan të bëjnë, është se sa herë në vit rekomandohet të bëhen kontrollime gjinekologjike tek femrat e shëndosha?
Edhe unë ju falënderoj për këtë mundësi të dhënë. Lidhur me pyetjen, është shumë e rëndësishme që çdo femër e shëndoshë të paktën një herë në vit të bëjë një kontrollë gjinekollogjike tek specialisti.
Cilat janë ato kontrollime dhe cilat teste duhet të bëhen gjatë kontrollimit?
Gjatë kontrollit gjınekologjik bëhet vizita fizike sistematike për të egzamiuar dhe vlerësuar prezencën e mundshme të infeksıionit , bëhet echo skanim për të vlerësuar organet e brendshme genitale (mitra dhe vezoret) dhe gjithashtu bëhet PAP testi.
Na sqaroni kuptimin e PAP testit dhe shpeshtimin e rasteve të kancerit të qafës së mitrës, si dhe si preventohet ai përmes PAP testit?
PAP testi është një screening test për të egzaminuar ndryshimet paramalinje dhe malinje të qafës së mitrës. Pap testi na jep mundësinë e diagnostifikimit dhe trajtimit të lezioneve parakanceroze (lezionet e formuara para se të formohet kanceri). Kanceri cervikal (i qafës së mitrës) është një ndër 3 kanceret gjinekologjike më të shpeshta. Kanceri cervikal kur është në fazë të përparuar është vdekjeprurës, prandaj për këtë arsye diaognostifikimi në fazë të hershme është një avantazh i madh, sepse edhe mundësia për ta eliminuar është shumë më e madhe. Për këtë arsye Pap testi është shumë i rëndësishem, kurse aplikimi i tij është shumë i lehtë dhe me nje kosto shumë të vogël.
Çka janë infeksionet bakteriale dhe cilat janë më të shpeshtat, si dhe cilat janë simptomat e tyre dhe si shërohen?
Janë gjashtë lloje të infeksioneve vaginale të cilat hasen më së shpeshti: Candida Bacterial vaginosis, Trichomoniasis vaginitis, Chlamydia vaginitis, Viral vaginitisk, Non-infectious vaginitis (irritative)
Shkaqet e infkesioneve vaginale janë: kremrat e ndryshme që përdoren, sprejët, larja e vaginës me ujë i cili mund të përmbajë bakterie, rrobat e ngushta, aktiviteti seksual dhe çdo gjë që mund të prish florën e vaginës, si dhe semundjet e rënda dhe disa antibiotikë, kontaminimi me feces (jashtëqitje) dhe mungesa e një diete probiotike.
Simptomat: sekrecione vaginale me ose pa erë ,kruarje, djegie.
Terapia e infeksioneve vaginale ndryshon nga lloji i infeksionit. Bacterial vaginosis, që është vaginitis-i më i shpeshtë, trajtohet me antibiotikë oral ose vaginal. Për infeksionet e candidas përdoren antimikotikë në formë kremi ose vaginaleta, kurse në raste të rënda jepen antimikotikë oral. Trichomoniasis, chlamydia dhe viral vaginitis trajtohen me antibiotikë dhe antiviralë specifikë.
Çka do të thotë të kesh vezorë policistike?
Sindromi i vezoreve polikistike është një çrregullim hormonal tek femrat reproduktive. Nuk do të thotë që ndodhen ciste të vërteta patologjike në vezore, por ky emër i është dhënë për shkak të pamjes së vezoreve me folikula të shumta që nuk pëlcasin rregullisht çdo muaj. Kriteret e këtij sindromi janë: anovulacioni, menstruacione të çrregullta, infertilitet për shkak të anuvolacionitit, simptomat në lidhje me hiperandogjenizm akne dhe hirsutizm dhe rrezistencë insulinare, zakonisht e shoqëruar me obezitet. Në shumicën e rasteve, shqetesimet janë menstruacione të çrregullta (të vonuara ose me sasi të shtuar), shtim i qimeve për shkak të rritjes së hormoneve mashkullore dhe pengesë në shtatzani, për shkak të mos plasjes së vezores. Trajtimi ndryshon sipas simptomave. Çdo simptom ka terapinë specifike. Shumica e pacientëve shqetësohen për fertilitetin e tyre, por trajtimi i infertilitetit, i shkaktuar nga vezoret policisitike është i lehtë dhe vetëm në raste të rënda trajtohet me fekondim artificial (IVF).
Cilat janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme më të shpeshta, dhe si munden ato të parandalohen?
Infeksionet më të shpeshta të transmetueshme seksualisht janë: Gonorea, clamidia, trichomonas, ureoplazma micoplazma, HPV condiloma, virusi hepatit B C, AIDS. Parandilimi me i sigurt dhe më i lehtë është perdorimi i prezervativit, si dhe të bërit seks vetëm me një partner.
Në cilat raste rekomandoni pilulat kontraceptive, e në cilat raste spiralen, si mbrotje nga një shtatëzani e padëshiruar?
Kontraceptivët preferohen më shumë në moshë të re, tek femrat që nuk perdorin duhanin, që nuk kanë sëmundje, si migrena, hipertensioni dhe probleme me gjakun (hiperkoagulim). Ne rastet ku nuk mund të perdoren kontraceptivët, perdoret spirali. Rastet ku nuk mund të përdoret spirali: gjakderdhje e çrregullt, infeksion i rëndë dhe i shpeshtë vaginal, lezione në qafën e mitrës. Tek femrat në moshë më të shtuar, si dhe te ato që pijnë duhan, preferohet spirali.
Cilat janë metodat tjera mbrojtëse nga shtatëzania e padëshiruar?
Metodat kontraceptive janë: natyrale, ejakulimi i spermës jashtë vaginës, kalendari i ovulacionit – duke shmangur marredheniet seksuale në ditët e ovulacionit (dita 10-14 e ciklit menstrual), spirali, pilulat kontraceptive, minipill, pilulat emergjente postkoitale, ligasion i tubave të uterusit, ligasion i kordoneve të epididimisit te meshkujt, injeksione (gjilpëra) hormonale 1 mujore( mesygna) dhe 3 mujore (depo-provera).
Çka janë çrregullimet hormonale dhe si t’i njohim (zbulojmë) ato?
Çrregullim hormonal është një term i gjërë që në fakt nuk përfshin vetem femrat, por dhe meshkujt. Në trupin tonë ka shumë hormone me funksione të ndryshme. Zakonisht me çrregullim hormonal te femrat kuptohet çrregullim i menstruacioneve, shtimi i qimeve dhe akne, dalja e qumeshtit nga gjinjtë dhe sidomos problemet me infertilitetin. Ato i zbulojme me anë të këtyre simptomave dhe analizave hormonale.
Cilat janë simptomet e kancerit të vezorëve dhe të qafës së mitrës?
Keto dy kancere shfaqen me simptoma të ndryshme nga njeri tjetri. Zakonisht simptomat e kancerit të vezoreve janë: fryrje barku ,dhimbje barku, dobesi dhe plogeshti. Ndërsa të qafës së mitrës: gjakderdhje vaginale, gjakderdhje pas marëdhënieve seksuale dhe sekrecione vaginale me erë të keqe. Kanceri i vezoreve është më i shpeshtë dhe paraqitet më shpesh në moshë më të madhe (50-60 vjeç) dhe zakonisht diaognostikohet në fazat e vonshme. Kanceri i qafës së mitrës shihet më shumë në moshë më të re (40-50 vjeç). Të dyja keto kancere po të diagnostikohen në kohen kur kanë dhënë simptoma, janë në fazë të vonshme, kështuqë për t’i diagnostikuar në fazë të hershme (që kjo ndikon në zgjatjen e jetëgjatesisë) duhen kontrolle rutinore, së paku njëherë në vit.
A mund të bëhet kancer nga seksi oral?
Duke mos qenë shumë i sigurtë, virusi human papilloma, nëpërmjet seksit oral, mund të shkaktojë kancer të farinksit dhe larinksit (fytit).
Çka janë kondilomat e çka virusi Herpes, dhe si të mbrohemi nga to?
Kondilomat janë lezione në formë lythi që formohen si shkak i virusit human papilloma. Ky virus është një virus qe infekton qelizat e lëkurës ose të mukozës (vagines, larinksit) pra nuk infekton vetëm organet genitale. Nga ky virus mund te mbrohemi duke perdorur kondom dhe duke patur një partner të vetëm (por edhe këto nuk janë 100% rrugë të sigurta).
Sa herë rekomandohet konrollimi gjatë shtatëzanisë tek femrat të cilat kanë një shtatëzani normale? Cilat janë testet normale që duhet të bëhen gjatë shtatëzanisë?
Kontrollet në një shtatzani normale, duhet të bëhen të paktën gjashtë here. Në qoftëse duhet t’i ndajmë në javë:
- Në javën e 6 -7. Për të dëgjuar rrahjet e zemrës së fetusit
- Në javën 11-14. Bëhet test screening për sëmundjet kromozomale
- Në javën 19-23. Bëhet echo morfologjike e detajuar e fetusit për të identifikuar anomalitë
- Në javën 24-28. Bëhet analiza e glikemisë dhe analiza rutine të gjakut
- Në javën 32-34 – echo për zhvillimin dhe rritjen e fetusit
- Pas javës së 36 bëhet një herë në javë kontrolli, duke përfshirë dhe CTG që tregon rrahjet e zemrës
A rekomandoni anestezionin epidural gjatë lindjes?
Anestezioni epidural është një aplikim rutinor gjatë lindjes normale në shumë vende moderne. Është një aplikim i lehtë, komfor dhe i sigurtë.
Dëgjojmë shumë diskutime rreth mundësisë së paracaktimit të gjinisë së fëmijës, ku përmes disa “metodave” apo parapërgatitjeve mund të “krijohet ambienti” për të lindur fëmijën me gjininë që dëshoron. A ekziston ndonjë metodë apo përgatitje paraprake përmes së cilës mund të stimulohet gjinia e fëmijës, apo ajo është vetëm një mit?
Përcaktimi i gjinisë në vende ku është i lejuar me ligj mund të aplikohet. Dhe kjo është e mundur nëpërmjet analizës preimplantasion genetic diagnosis (PGD) dhe kjo analizë mund të aplikohet vetëm nëpërmjet procesit të IVF. Ne fakt PGD është një analizë gjenetike (analizë kromozomale (e AND-së) që i bëhet embrionit para se të transferohet. Domethënë, gjatë procesit të IVF, pasi janë mbledhur vezoret, ato bashkohen me spermën në laborator dhe formohet embrioni. Nga embrioni i formuar në një shkallë të caktuar bëhet analiza e PGD. Qëllimi i PGD është transferimi i një embrioni me AND të shëndoshë, ndërkohë mund të identifikohet edhe gjinia. PGD aplikohet në raste kur kemi IVF të bëra të pasukseshme, ose për diagnozën e disa prej sëmundjeve gjenetike.
Për fund, ju si gjinekolog, cka do t’i këshillonit çdo femre?
Çdo femër duhet të bëjë së paku një herë në vit vizitë gjinekologjike. Diagnostifikimi i hershëm i shumë prej sëmundjeve shpeton jetë. Gjithashtu, femrat që dëshirojnë të ngelin shtatzënë, ju rekomandoj që të marrin një diagnozë dhe një trajtim të shpejtë, sepse me kalimin e kohës, shanset për të ngelur shtatzënë pakësohet, për shkak të zvogëlimit të funksionit të vezoreve për shkak të moshës.