Bakteret janë të paevitueshme në çdo ushqim që konsumojnë çdo ditë njerëzit. Megjithatë, nëse njeriu nuk tregon kujdes në përpunimin, gatimin dhe konservimin e ushqimeve, këto baktere mund të shumëfishohen në atë masë sa të shkaktojnë sëmundje të ndryshme.
Parazitët, viruset, toksinat dhe kimikatet janë gjithashtu ndër ndotësit më të mëdhenj të ushqimit dhe shkaktarët më të përhapur të sëmundjeve.
Sipas të dhënave nga studime të ndryshme, një prej problemeve më të zakonshme që njeriu has nga këto baktere është helmimi nga ushqimi.
Disa prej simptomave të helmimit nga ushqimi janë: diarea, të përzierat, dhimbjet e stomakut, të vjellat, dehidratimi, ethet, lodhja etj.
Helmimi nga ushqimi varet nga organizmi, ekspozimi ndaj baktereve, mosha dhe shëndeti. Grupet më të rrezikuar nga helmimi janë të moshuarit, sepse me kalimin e moshës, sistemi imunitar nuk përgjigjet mjaftueshëm shpejt ndaj organizmave infektues.
Bebet dhe të miturit
Sistemi i tyre imunitar nuk është zhvilluar akoma plotësisht, ndaj ata janë më të prekshëm nga helmimi.
Njerëzit, të cilët i nënshtrohen kimioterapisë dhe ata që vuajnë nga diabeti, kanë një sistem imunitar më të dobët.
Shtatzania gjithashtu tjetërson sistemin imunitar dhe vështirëson luftën ndaj infeksioneve që mund të prekin jo vetëm shëndetin e nënës, por edhe të fetusit.Ç’duhet të bëni nëse helmoheni nga ushqimi?
Pini lëngje – Uji është i domosdoshëm për të parandaluar dehidratimin.
Megjithatë, pirja e shpejtë e lëngjeve mund të përkeqësojë të përzierat dhe të vjellat, ndaj pini ujë me gllënjka të vogla gjatë disa orëve. Nëse mundeni, pini ujë të ngrohtë, edhe këtë me gllënjka të vogla.
Shmangni konsumin e medikamenteve kundër diaresë
Këto medikamente ngadalësojnë eliminimin e organizmave ose toksinave nga sistemi, ndaj duhen shmangur.