Se si Coronavirusi prek gratë shtatzëna ka qenë e paqartë gjatë periudhës më të keqe të pandemisë dhe ato u vunë në listën e mbrojtjes si një masë paraprake.
Ndërsa disa studime kanë zbuluar se ato nuk duket të jenë në ndonjë rrezik shtesë, një studim i botuar tani zbulon se ka më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë nëse kanë simptoma.
Punimi shqyrtoi 77 studime të tjera që janë bërë në të gjithë botën dhe zbuloi se gratë shtatzëna kishin 57 për qind më pak të ngjarë të shfaqnin shenja të sëmundjes.
Sidoqoftë, midis atyre që shfaqën simptoma, shansi për t’u pranuar në kujdesin intensiv ishte 62 për qind më i lartë se sa për gratë e tjera. Të gjitha gratë në studim ishin tashmë në spital, kështu që ato mund të kenë pasur probleme të tjera shëndetësore.
Kjo nuk do të thotë që 62 për qind e grave shtatzëna me COVID-19 shkuan në kujdes intensiv, por ishte një rritje proporcionale e rrezikut. Për shembull, nëse 10 në 1.000 gra jo shtatzënë do të kishin nevojë për kujdes intensiv, 16 gra shtatzëna do të kishin nevojë për kujdes intesiv.
Hulumtimi u bë nga një ekip i quajtur ‘PregCOV-19 Living Systematic Review Consortium’, i udhëhequr nga profesoresha e Universitetit të Birminghamit Shakila Thangaratinam.
Problemet ekzistuese shëndetësore te nënat, përfshirë mbipeshën, diabetin dhe presionin e lartë të gjakut, ishin të lidhura fort me rreziqet e shtuara për kujdes intensiv, shkruan dailymail.
Dr Edward Morris, president i Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve, tha: “Ndërsa rreziqet e përgjithshme për gratë shtatzëna nga Coronavirusi janë të ulëta, gjetjet e këtij studimi nxjerrin në pah rreziqet e veçanta për gratë shtatzëna, veçanërisht ato në tremujorin e tretë të shtatzënisë”.
Ai tha se gjetjet e studimit ishin “të mirëseardhura” dhe se gratë duhet të ndjekin udhëzimet e Qeverisë, gjë që i vendos ato në një grup “me rrezik të moderuar”.