Këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri, në vazhdimësi ka sjellë këngë të reja, përkundër izolimit. Këtë e ka mundësuar posedimi i studios së saj në ambiente të shtëpisë.
Por ajo nuk është ndalë me kaq. Ajo shumë shpejt do të sjellë albumin e saj, për të cilin ka paralajmëruar shumë surpriza.
Në emisionin “NIN” në Klan Kosova, ajo ka rrëfyer se albumi do të quhet “Dafine moj”. Ky titull vjen nga kënga që nëna e këngëtares e ka përzemër që kur Dafina ishte shumë e vogël.
Madje ajo ka zbuluar se këtë këngë në album do ta këndojë bashkë me nënën e saj.
Nëna, Melihate Zeqiri në të kaluarën ishte këngëtare. Dafina vazhdimisht deklaron se zërin e ka të trashëguar nga ajo.