Coronavirusi vazhdon të jetë ende i panjohur mirë për mjekësinë dhe njerëzit kanë shumë pikëpyetje.
Shtatzënat janë një nga kategoritë më të ndjeshme karshi këtij virusi, për shkak të një jete tjetër që mbajnë në barkun e tyre.
Një nga pyetjet më të shpeshta është mundësia e bartjes tek fetusi.
Ajo çfarë dihet deri më tani është se mënyra kryesore që COVID-19 përhapet nga një person tek tjetri është përmes pikave që lëshohen në ajër kur një person i sëmurë kollitet ose teshtit.
Përderisa disa patogjenë si virusi Zika mund të përhapen përmes placentës ose qumështit të gjirit ose gjatë lindjes, për Covid-19 ende nuk është vërtetuar një përhapje e tillë.
Një grua në Wuhan me COVID-19 të konfirmuar lindi një fëmijë që testoi pozitiv për virusin 36 orë më vonë. Por, nëntë të porsalindurit e tjerë kishin rezultate negative.
Dyshimet e tjera për shtatzënat janë rreth nivelit të prekshmërisë së tyre nga kjo pandemi.
Gjatë shtatzënisë, sistemi imunitar i grave bie. Si pasojë e disa ndryshimeve në trupin e tyre, gratë shtatzëna rezultojnë më të ndjeshme ndaj infeksioneve të caktuara, siç janë infeksionet e traktit urinar, infeksione të frymëmarrjes, përfshirë gripin, SARS dhe MERS.
Megjithatë bazuar në informacionet, nuk duket se personat shtatzënë rrezikohen më shumë se të tjerët të marrin COVID-19 apo të përjetojnë simptoma më të rënda.