Aktori Blerim Gjoci ka një lajm të mirë për të gjithë adhuruesit e filmit. Ai ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar projektin e tij “Fusion”.Filmi fantastiko-shkencor është me regji dhe skenar të vet Gjocit. Ndërsa në të luan aktori me famë botërore, Eric Roberts, që është edhe vëllai i Julia Roberts. Aktorë të tjerë që kanë rolet kryesore në këtë film janë Brian McGovern, Charlotte Beckett dhe Lexa Gluck. Kjo e fundit në realitet ka origjinë shqiptare, ndërsa edhe në film, mban emrin Zana. Producente e filmit është modelja e njohur shqiptare Angela Martini.
Xhirimet e këtij filmi me kastë ndërkombëtare, janë bërë në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndonëse lajmin për përfundimin e filmit Gjoci e ka bërë përmes llogarisë së tij në Facebook, ai nuk ka treguar se kur do të mund ta shohin shikuesit atë.