Balkan Trafik Festival, është organizim artistik që mbledhë numër të madh të artistëve nga fusha të ndryshme, në Bruksel. Këtë vit Kosova do të përfaqësohet nga artistja kosovare, Shqipe Kamberi, me ekspozitën e saj “Vetëdije, dikur dhe sot”.Ndonëse ky event do të duhej të mbahej nga 23 prilli deri me 26, në kryeqytetin evropian, Bruksel, ajo u pamundësua nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19.
Organizatorët kanë paralajmëruar mbajtjen e saj në shtator të këtij viti, megjithatë mbi 60 artistë, veprat e tyre, do t’i paraqesin në datat e parapara të prillit, në transmetim digjital.
Punimet e artistes Kamberi, do të shfaqen përmes ekspozitës virtuale me 23 prill. Shikuesit do të kenë mundësi të shohin portretet e nuseve shqiptare, të veshura me veshje tradicionale.
Artistja, përmes kësaj ekspozite, vë në pah krenarinë e të qenit grua dhe përmes mbylljes së syve, paraqet ato pa emocione, të zhytura në botën fatale.
Krahas Shqipe Kamberit, Kosova do të përfaqësohet edhe me filmin “Martesa”.