Ajo që e karakterizon edukimin tonë është frika. “Vishe so do sëmuret, apo vishe se do ftohet”, “Ushqeje me zor se do dobësohet”. “Mos e lër të hypi shkallët se do të rrëzohet”, “Mos e lër me biçikletë se do e shtypi makina” , “Mos e lër të laget se do ftofet” dhe mund të vazhdohet pa fund, duke cituar frikërat e nënave dhe gjysheve, po për fat të keq edhe të baballarëve.
Ne të rriturit, e dimë veten si shpëtimtarët e fëmijëve, në fakt i pengojmë dhe i bëjmë të paaftë për t’u rritur e për ta njohur vetë mjedisin. Me këtë lloj pseudopërkujdesje i pengojmë të fitojnë atë lloj zhdërvjelltësie fizike dhe psikoemocionale që jep eksplorimi dhe arritja e një veprimi të bërë vetë. Mirë që i pengojmë sepse kemi vetë frikë, por ajo që e bën këtë mënyrë edukimi të rëndë për fëmijën është etiketimi: “ky mi, ky është i ngordhur!”, ose “ky është qullac,” “këtë e kalojnë të gjithë” dhe për ta mbyllur, pasi kanë numuruar epitetet, fillojnë dhe qeshin.
Dhe pastaj pretendojmë, që fëmijët tanë të bëhen të rritur të zot, kurajozë e të përgjegjshëm.