Është krejtësisht e natyrshme të jeni mosbesues ndaj dikujt që ka tradhëtuar në të shkuarën. Këtë e mbështet edhe një sutdim i publikuar në Archives of Sexual Behavior.Studiuesit kanë hulumtuar persona në marrëdhënie afatgjatë, për historikun e tyre të tradhëtive. Mes atyre që kishin qenë jobesnikë në marrëdhëniet e mëparshme, 30 për qind kishin tradhtuar edhe partnerët aktualë. Kjo, krahasuar me vetëm 13 për qind të atyre që nuk i kishin tradhtuar kurrë partnerët e mëparshëm. Ky raport qëndron si për burrat dhe për gratë dhe mbështetet edhe nga studime të mëparshme. Studiuesit kanë arritur në atë që e etiketojnë “efekti prag.”
Kur tradhton një herë, të kryesh sërish një akt të tillë, mund të duket si diçka jo shumë e madhe, thotë bashkautori i studimit Frank Dattilio, psikolog klinik në Allentoën. Por kjo nuk do të thotë që tradhtarët nuk mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Duhet kujtuar që plot 70 për qind e atyre që kishin tradhtuar në të shkuarën, ishin besnikë në marrëdhëniet aktuale.
Që të dini se a mund t’i besoni përsëri partnerit, flisni me partnerin për tradhëtinë – si kur e ka kryer ndaj jush, apo ndaj dikujt tjetër dhe shikoni si do të reagojë, thotë Dattilio. Nëse partneri e kalon atë temë dhe sillet sikur nuk keni të drejtë të preokupoheni për të, mund të keni arsye për t’u shqetësuar, thotë ai. Kjo është një shenjë që partneri nuk e vlerëson shumë besnikërinë. Por nëse partneri tregohet i hapur për çfarë ka ndodhur, pranon që ishte një gabim i tmerrshëm dhe duket sinqerisht i thyer nga kjo arsye, atëherë mund ta dini që e merr tradhëtinë aq seriozisht sa ju, thotë Dattilio. Dhe ju keni një arsye të fortë për ta besuar sërish.