Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të rëndësisë së testimit për klamidia si dhe për shëndetin e përgjithshëm seksual, klinika të ndryshme mundësojnë aksion për testimin e infeksionit nga klamidia.
Infeksioni “Chlamydia trachomatis” është infeksioni më i zakonshëm që transmetohet seksualisht. Ky infeksion mund të paraqitet edhe tek meshkujt edhe tek femrat duke shkaktuar inflamacion të traktit urinar, ku komplikime të tilla mund të rezultojnë edhe në infertilitet tek femrat. Simptomat e infeksionit mund të jenë diskrete. Nëse ekziston ndonjë dyshim i vogël i infeksionit, testimi i drejtëpërdrejtë është mënyra më e besueshme për ta zgjidhur dilemën.
Ky infeksion transmetohet përmes seksit anal ose gjenital. Me përdorimin e prezervativëve zvogëlohet rreziku i infektimit, ndërsa forma tjera të kontraceptivëve si pilulat për kontroll të lindjes, nuk mbrojnë kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Vlerësohet se një nga dhjetë femra të moshës deri 25 vjet, infektohet me klamidia dhe pothuajse 70% e tyre nuk janë të vetëdijshme. Mund të paramendohet se e njejta ndodhë edhe me sensibilizimin e meshkujve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të dy partnerët të testohen apo kontrollohen për ndonjë infeksion të mundshëm duke ndaluar kësisoj përhapjen e sëmundjes.
Ka shumë rëndësi testimi për klamidia sidomos për ato çifte që planifikojnë fëmijë. Tek femrat e infektuara me klamidia, shanset janë që të kenë shtatzëni ektopike (jashtë mitre) dhe lindje të parakohshme, si dhe probabilitet për infektim të foshnjes gjatë lindjes. Të porsalindurit mund të kenë konjuktivit (infeksion të syve) dhe pneumoni.
Infeksioni klamidia mund të diagnostifikohet edhe përmes testit të urinës së parë në mëngjes, dhe jo vetëm përmes brisit vaginal tek femrat dhe brisit uretral tek meshkujt. Prandaj, testi është shumë i thjeshtë dhe pa ndonjë shqetësim apo siklet.
Shumë poliklinika mikrobiologjike përdorin metodën e detektimit molecular (PCR), e cila është më e përparuar, më e ndjeshme (për konstatim pozitiv është i mjaftueshëm vetëm një mostër e bakteries) dhe më specifike (nuk ka vlerësim të rrejshëm). Është një metodë e cila është aktualisht në dispozicion në tregun botëror dhe e pranuar në përgjithësi nga specialist të besueshëm për diagnostifikim të infeksionit të klamidia-s.
Nuk ka përgatitje të veçantë, vetëm duhet të urinohet në enën speciale për urine (urina e parë e mëngjesit) dhe mostra brenda dy orëve dëgohet në klinikë për trajtim. Rezultatet e testimit mirren brenda 10 ditëve./kosovarja.ch/