Pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Durrësit, ku u vra me thikë nga një bashkëmoshatar 16-vjeçari Anxhelo Gjokozaj, u rikthye në vëmendje shtimi i rasteve të dhunës tek të rinjtë, kryesisht adoleshentët.
Në këtë kuadër mjekja pediatre dhe psikologia e njohur Lira Gjika, e sheh fenomenin të lidhur ngushtë me edukimin.
Lira Gjika:
Ngjarja që ka ndodhur në Sukth, një zonë paksa problematike, nuk është zonë që punohet me adoleshentin.
Në adoleshencë agresiviteti, kjo energji e natyrës, po nuk u kanalizua natyrisht do e çojë në dhunë.
Adoleshenti duhet përfshirë në sport, kreativitet, arte.
Në këto zona duhet hyrë me këto projekte.
Nëse nuk futet shkolla me një projekt shumë të mirë duke njohur problemet e zonës është e vështirë të bëhet, do kalojnë se nuk bën në dhunë.
Sakaq Gjika vlerëson se përkundër progresit ndër vite, shkollat tona janë në krizë. Jo më optimiste paraqitet situata edhe në familjet shqiptare.
“Shkolla jonë ka hyrë në një krizë të thellë.
Vërtet është bërë shumë, por akoma nuk kemi gjetur atë që duhet të për emancipuar vendin, të bëhemi të përgjegjshëm për fëmijët tanë.
Duhet t’i rrisim si njerëz dhe jo viktima, ne rrisim si viktima fëmijët tanë.
Vendi më i frikshëm kam parë që është shtëpia, kanë frikë nga mamaja, nga babai.
Në vend që të vish në shtëpi të qetësohesh, kanë frikë.
Mbase jeta është shumë e ngarkuar, njerëzit janë tërë kohën:
S’kam kohë, s’kam kohë. Kjo shprehja më duket si gënjeshtër.
Kam parë dhe njerëz që rrinë kot, nuk bëjnë ndonjë gjë.
Rrinë dhe bëjnë muhabete koti duke u marrë me të tjerët, duke etiketuar të tjerët.
Harxhojnë kohën për të tjerët që u duhet për vete.
Lira Gjika thotë se akoma në shkollat tona procedohet me etiketime.
Gjika: Ka vite që dëgjohet, madje shumë të huaj që kanë ardhur dhe kanë paralajmeruar kini kujdes me arsimin, edukimin.
Ende etiketohet në shkolla, qoftë shtetërore apo private.
Vazhdojmë të themi djalë i mirë, djalë i keq, është i shëndoshë, është i hollë.
Këto janë të dëmshme për fëmijën, vrasin atë që quhet identitein e tij, respektin për veten, vrasin entipatinë.
Asnjë adoleshent nuk niset të vrasë, thotë Gjika, por nuk dinë të menaxhojnë emocionet e tyre.
Lira Gjika: Asnjë adoleshent nuk niset të vrasë.
Ju del situata nga dora se nuk janë të aftë të kontrollojnë veten, e dinë pasojë e veporimit por ndërkohë ende truri i tyre, vetja e tyre nuk di t’i frenojë, nuk dinë të menaxhojnë emocionet e tyre.
Nuk nisen për të vrarë, por ndërkohë vrasin.
Një adoleshent që të mos arrijë në këtë kontroll të vetes tregon se vjen nga një mjedis i varfër, i ashpër, i dhunshëm, që nuk i është mësuar e mira dhe e keqja, që nuk janë marrë shumë me zhvillimin e gjuhës, që nuk di të artikulojë ato që ndjen, mandje nuk di as t’i emërtojë ato që i ndjen.
Por a është ky vetëm një fenomen shqiptar?
Lira Gjika: Nuk është problem vetëm tek ne, por gjithandej.
Ato shtresa problematike të popullatës, me edukim të mangët kanë këto probleme.
Në mjediset e varfra, propabiliteti që një adoleshent të përfundojë në krim është shumë e lehtë.
Nuk di të menaxhojë veten.
Prandaj sot instistohet shumë tek parashkollori, vitet e para të jetës, si është marrëdhënia me nënën, sa ndërtohen mekanizmat e besimit.
Instistohet në atë butësinë e nënës, babait, e njerëzve afër fëmijës të mos hynë pa menduar.
Siç hymë ne, që del gjyshja dhe i thotë nënës: Ti nuk di, dimë ne.
Gati ja rrëmbejnë fëmijën.
Duken gjëra të vogla, por janë procese psiqike që po u vendosën, ti nuk arrin të kuptosh.
Janë procese automatike që vendosen dhe është e pamundur vetëm, duke u bërë i vetëdijshëm.
Duke e parë problematikën në një rrafsh më të gjerë, Gjika thotë se jemi një shoqëri pa sistem vlerash.
Lira Gjika: Jemi një shoqëri pa sistem vlerash dhe pa modele pozitive.
Në familjet tona akoma është diskriminimi djalë, vajzë.
Djalin e rrisin më mirë, harrojnë që fëmija nuk e di akoma djalë, vajzë.
Nuk di gjininë. Kur sheh që vajza keqtrajtohet pret rradhën, kur do të jetë…
Të gjitha këto krijojnë ankthe, shtypin brenda vetes sonë ndjenjën e zemërimit dhe pasigurisë dhe të gjitha këto do të shpërthejnë një ditë.
Në momente delikate ato shpërthejnë dhe humbet kontrollin.Kemi parë njerëz të rritur, burra dhe gra që humbasin kontrollin.
Bëjnë krim.
Jo më adoleshtentë. Këta dy djem, është fatkeqësi e madhe që një djalë 16 vjeç të vdesë, është e dhimbshme.
Por edhe një djalë 17 vjeç të hyjë në burg është e njëjta gjë. Është faji i të rriturve, duke filluar nga familja, shkolla.
Po cila është zgjidhja?
Lira Gjika thotë se nevojitet një reformë në sistemin e edukimit.
Lira Gjika: Model do të marrësh por do të ndërtosh gjenë tënde.
Ne jemi akoma copy-paste. Ne duhet të bëjmë shkollën tonë, siç u bë Kongresi i Manastirit për abetaren. Kemi pasur shkolla greke, ruse, turke, kineze, austriake, italiane, shkolla jonë kush është? Ti studion gjuhën dhe zhvillimin dhe ndërhyn aty ku duhet. Fillon të artikulosh me nivelin tënd, me zhvillimin tënd, me kulturën tënde.
Kjo është një gjë kombëtare, qeveritë vinë dhe shkojnë.
Strategjitë e edukimit kur bëhen shtrihen në kohë dhe marrin pjesë pjesa më e mirë e një kombi nga shkencëtarët deri tek shtëpiaket. /oranews.