Aktorja e njohur, Adriana Matoshi, është regjistruar te mërkurën, zyrtarisht si deputete e Kuvendit të Kosovës.
Ajo arriti që të sigurojë votat e mjaftueshme për një nga ulëset në Kuvendin e Kosovës, pas garës parlamentare, në krah të Lëvizjes Vetëvendosje.
Matoshi ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social Facebook një fotografi nga momenti, kur ka nënshkruar regjistrimin si deputete në hollin e Kuvendit të Kosovës.
“Për herë të parë dhe regjistrova si deputete e kuvendit të Kosovës! Faleminderit për besimin e juaj, shpresoj për një ardhme të ndritur për të gjithë qytetarët e vendit! Kofshim e dalshim faqebardhë me punë të mbara dhe suksese në të gjitha iniciativat”, ka shkruar aktorja e njohur në Facebook.
Adriana përndryshe ka një karrierë të pasur në aktrim, me shumë role filmike, teatrale e çmime të shumta në festivalet prestigjioze.
Ajo vendosi t’i futet befasishëm garës për deputete këtë vit, gjersa për t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, Matoshi tha se mori ftesë nga i pari i këtij subjekti politik, Albin Kurti.
Adriana garoi në zgjedhjet e 14 shkurtit me numrin 60, e që kthyer mbrapsht i bie 06, numri që simbolizon qytetin e saj, Gjilanin, nga ku ka edhe prejardhjen.