Rutina e natës për të gjithë mund të jetë e thjeshtë: Në fillim lani fytyrën, dhëmbët dhe shtriheni për të fjetur.Ka një hap që njerëzit shpesh nuk e përmendin, por kjo s’do të thotë se nuk e bëjnë: Një kontroll i vogël i disa profileve në rrjete sociale.
Nodnjëherë ju shihni profilet e njerëzve që s’ju pëlqejnë fare, urreni mënyrën si flasin, çfarë kanë veshur etj, por për një arsye a tjetër, herë pas here kaloni në profilet e tyre.
Kjo njihet “social media stalking” ose “përndjekje në rrjete sociale” dhe kur e bëni sepse nuk i keni qejf këta njerëz, njihet dhe si “hate-stalk”, ose “përndjekje nga urrejtja/mospëlqimi”.
Përpara se të ndiheni çuditshëm dhe të shqetësoheni, duhet të dini se nuk jeni vetëm. Madje, gjasat janë që, ndërsa ju po hyni në profilin e dikujt që s’ju pëlqen, dikush tjetër mund të jetë në profilin tuaj për të njëjtën arsye.
Pse e bëjmë këtë?
Thënë thjesht, kontrolli i profileve të njerëzve të tjerë është thjesht një shpërqendrim nga bota.
Meghan Jablonski, PhD, psikologe klinike, shpjegon se kanalizimi i energjisë tuaj negative në një profil Instagram-i a Facebook-u arrin të reduktojë shpejt stresin, trishtimin ose dhe ankthin.
Nxitja e egos suaj, duke gjykuar të tjerët mund të bëjë që truri të çlirojë dopaminë, e cila rregullon aftësinë tonë për të ndjerë kënaqësi. Kjo e fundit, bën që një ves/zakon të krijohet më lehtë.
Fatkeqësisht, ndjesitë e këqija që mund të keni nuk largohen përgjithmonë. Prandaj, lëshimi i “kësaj energjie negative” në rrjete sociale për pak “lumturi të shpejtë” nuk është zgjidhje.
Ndonëse mund të jetë deri diku e pamundur të mos kontrollojmë kurrë asnjë profil, le të përpiqemi ta kanalizojmë zemërimin tonë diku tjetër.
Gjithashtu, le t’i bëjmë “like” vetëm postimeve që na bëjnë vërtet të ndihemi mirë me veten dhe na ndihmojnë, kështu “magjistarët” e algoritmit të rrjeteve sociale të na shfaqin më shumë këto postime që duam dhe që na duhen, se sa postimet që i urrejmë, por duam t’i shohim.
Burimi: Cosmopolitan