Nga kjo e hënë, si pjesë e fazës së dytë të hapjes ekonomike, kanë filluar punën edhe fizioterapeutët. Për shumë njerëz ky është lajm i mirë, meqë më në fund to të mund të vazhdojnë trajtimet e tyre, tek mjekët e tyre.
Arbanis Maxhuni, fizioterapeut në Prishtinë e Vushtrri, tregon se sa vështirë e pati dhënien e ndihmës tek pacientët e tij në mënyrë virtuale.
“Kemi pasur pacientë të cilëve është dashur tu ndërpritet trajtimi i domosdoshëm. Tek shumë pacientë punojmë me pajisje me elektroterapi dhe ata e kanë të pamundur ta trajtojnë veten. Janë personat që kanë qenë duke u trajtuar pas parezës, të tjerë në rehabilitim të protezave e shumë të tjerë pacientë neurologjik e ortopedik të cilët janë privuar nga seancat e domosdoshme si pasojë e COVID-19.” – shpjegon Maxhuni për Kosovarja.ch.
“Ne kemi tentuar të mbajmë kontakte të vazhdueshme duke u dhënë rekomandime se çfarë të bëjnë në kushte shtëpie. Ndonëse shumë e vështirë, tek shumica ja kemi dalë mirë. Atyre që nuk kanë pasur nevojë të domosdoshme për shërbime në klinikë, u kemi krijuar protokole rehabilitimi dhe u kemi dërguar online.” – shpjegon më tutje fizioterapeuti Maxhuni.
Por krahas telasheve që ndërprerja e punës u ka sjellë pacientëve, edhe për vet fizioterapeutët ka krijuar goxha vështirësi. Maxhuni është i vetëdijshëm se mund të hasin në probleme për të kaluar dëmet që u ka shkaktuar mbyllja e komplete e punës për dy muaj, por megjithatë është i lumtur që kësaj ndërprerje i erdhi fundi.
Ai tregon se kanë marrë të gjitha masat e domosdoshme, të përcaktuara nga institucionet relevante, që klientët të marrin shërbime të sigurta.
“Kemi bërë renovime në të dyja klinikat. Gjithashtu është kryer dezinfektim i detajuar i të gjitha hapësirave. Stafi i jonë do të trajtojë një pacient pa pasur kontakt me të tjerët gjatë asaj kohe dhe I njëjtë do të kryej shërbimin nga dita e parë e terapisë deri në të fundit. Ndërsa pacientët duhet të vijnë me maskë dhe dorëza. Ata që nuk kanë nevojë të domosdoshme për shoqërim, i lusim që të vijnë pa shoqëri, duke respektuar kështu distancën” – ka treguar Maxhuni.
Arbanis Maxhuni, që është një nga fizioteraputët më të preferuar nga sportistët, për vite me rradhë ofron shërbime të ndryshme në fizioterapi, neurologji, pediatri, ortopedi, reumatologji, mjekësi sportive e geriatri. Për këto fusha, krahas studimeve universitare, ai ka ndjekur është trajnime të ndryshme jashtë vendit, përfshirë edhe qëndrimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.