1.7 C
Priština
More

    Parandaloni në kohë dembelizmin e syrit tek fëmijët tuaj!

    spot_imgspot_img

    Ambliopia apo dembelizmi i syrit është një defekt viziv që shoqërohet me ulje të shikimit të njërit apo të dy syve në moshë pediatrike dhe nëse nuk ndërhyhet në kohën e duhur, me anë të terapisë, mund të bëhet e pa korrigjueshme dhe fëmija mund të mbetet me pamje të dobët për gjithë jetën.

    Dr. Teuta Haveri  (marrë nga Revista VITAL, botim periodik i Spitalit Amerikan)

    Në lindje fëmija ka afërsisht 10% të shikimit të të rriturit dhe gradualisht deri në moshën 6 vjeçare, syri, rrugët e pamjes dhe qendra e shikimit në tru maturohen gradualisht për të arritur deri në 100% të kapacitetit.

    Nëse gjatë kësaj periudhe, shumë të rëndësishme për zhvillimin e syrit (mosha 0 deri ne 6 vjec) paraqiten problem të tilla si strabizmi apo anisometropia, pengohet zhvillimi normal i shikimit dhe syri mund të mbetet dembel.

    Njihen disa shkaqe që mund të gjenerojnë dembelizmin e syrit tek fëmija. Shkaku më i shpeshtë është strabizmi apo devijimi i syrit. Fëmija me sy të shtrembër (strabik) priret gjithmonë të përdorë syrin tjetër dhe kjo gjë shkakton dembelizmin e syrit të devijuar.

    Tjetër shkak i shpeshtë i ambliopisë është anisometropia, që ka të bëjë me diferencën e numrave të syve të fëmijës. Nga ana e prindërve është e vështirë të dallojnë nëse fëmija ka nevojë për syze, megjithëse një prind i kujdesshëm i tërheq vëmendjen kur fëmija afrohet tek objektet apo tek televizori, fërkon apo pulit shpesh sytë. Këto duhet të jenë shenja alarmi që duhet ta bëjnë prindin ta cojë menjëherë fëmijën tek mjeku okulist.Më e vështirë është në rastet monololateralë, kur vetëm njëri prej syve është me numër, sepse në këtë rast fëmija përdor syrin tjetër, duke parë shumë mirë me të dhe nuk kuptohet që ka vështirësi në shikim. Ndërkohë syri me numër më të madh nuk përdoret dhe bëhet dembel ose ambliop.

    Për këtë arsye rekomandohet të kontrollohen fëmijët tek mjeku okulist të paktën një herë midis moshës 3 – 5 vjeç, sepse kjo do të bëjë të mundur diagnostikimin korrekt të dembelizmit të syrit, dhe fillimin e menjëhershëm të një terapie të përshtatshme për rritjen e shikimit në syrin dembel.

    Prindërit shqiptarë ende nuk kanë informacionin e duhur mbi këtë problem, por edhe nuk i kushtojnë vëmendjen dhe rëndësinë e duhur.

    Dembelizmi i syrit në përgjithësi është i njëanshëm ( kap njërin sy), atë që ka një problem që e pengon të shohë, apo syri që ka një numër më të lartë se tjetri. Por ndonjëherë një problem serioz në të dy sytë mund të çojë në “dembelizëm” të të dy syve.

    Si trajtohet “dembelizmi” i syrit ? A mundet syri “dembel” të bëhet “punëtor”?!

    Mjekimi i “dembelizmit” është i lidhur me trajtimin e problemit që e ka shkaktuar atë. Pra, fillimisht duhet korrigjuar problemi që ka (korrigjimi i numrit me syzet e nevojshme, korrigjimi i strabizmit, operacioni i kataraktit,apo i ngritjes së kapakut të syrit), pastaj duhet filluar trajtimi i dembelizmit.

    Qëllimi i trajtimit është të vemë në “punë” syrin “dembel”.

    Mënyra më e njohur, më e vjetër dhe më e efektshme për të luftuar “dembelizmin” është mbyllja me fasho e syrit të “mirë” për të vënë në punë syrin “dembel”. Pjesa më e vështirë është që fëmija të bindet të mbyllë syrin e shëndoshë ( atë me të cilin shikon më mirë) dhe të përdorë syrin “dembel” në mënyrë që atij t’i rritet fuqia e shikimit. Prandaj në “luftën” me “fëmijën e pabindur”, familja fillimisht duhet të jetë plotë-sisht e qartë dhe e sqaruar në lidhje me dobinë e trajtimit që duhet bërë. Gjithashtu, familja duhet të ketë besim të plotë tek mjeku që kujdeset për fëmijën e tyre dhe të ndjekë ekzaktësisht udhëzimet e tij në lidhje me frekuencën dhe kohëzgjatjen e mbylljes së syrit.

    Deri në cilën moshë vazhdon trajtimi i “dembelizmit”?

    Mosha më e përshtatshme për trajtimin e “dembelizmit” është mosha 0-7 vjeç. Edhe pas kësaj moshe mund të vazhdohet trajtimi, por kuptohet që efektiviteti i trajtimit të “dembelizmit” ulet me rritjen e fëmijës sidomos pas moshës 10 vjeç, moshë në të cilën përfundon formimi i qendrës së pamjes dhe mund të ndikojmë pak ose aspak në të. Duke qenë se trajtimi i “dembelizmit” bëhet në mosha të vogla dhe në shumicën e rasteve “dembelizmi” i syrit nuk jep asnjë shenjë që mund të dallohet nga familjet e tyre, vizitat e fëmijëve tek mjeku specialist janë me shumë rëndësi.

    Në çdo moment që familja apo të afërmit shohin diçka të “dyshimtë” në lidhje me shikimin e fëmijëve të tyre, mirë është që prindërit të mos presin, por të vizitojnë fëmijën tek mjeku okulist sa më shpejt.

    Por edhe nëse nuk paraqet ankesa, këshillohet që fëmija të vizitohet tek mjeku specialist të paktën një herë në moshën 3-5 vjeç dhe para fillimit të shkollës në moshën 6-7 vjeç.

    Kjo do të ndikonte në zbulimin e hershëm të problemeve të syrit dhe do të evitonte surprizat e pakëndshme, si p.sh zbulimin e ambliopisë në moshë më të madhe se 10 vjeç, kur pothuaj nuk mund të bëhet me asgjë për ta kuruar atë.

    Shpërndaje postimin:

    spot_imgspot_img

    Të popullarizuara

    spot_imgspot_img

    Artikuj të ngjajshëm
    Artikuj të ngjajshëm

    Pushimet shijojnë më shumë me Prime Travel

    Ndërsa ditët e diellit të gushtit i lënë butësisht...

    Dëshironi të vraponi më shpejt, ndiqni këto tri këshilla

    Të gjithë e kemi dëgjuar frazën se duke e...

    Dëgjoni këto këngë për seks të ngadaltë dhe sensual

    Muzika mund të ndikojë në dëshirën tonë seksuale. Kështu...

    Çfarë është shtatzënia ektopike?

    Një shtatzëni ektopike mund të jetë një ngjarje shkatërruese...