3.7 C
Priština
More

    Ushqyerja me qumështin e nënës

    spot_imgspot_img

    Nuk duhet të harroni që ushqimi më i mirë për beben tuaj është qumështi i nënës.

    Prof. Dr. Musa Kazım Çağlar, Temë e huazuar nga revista periodike  „VITAL“ nga Spitali Amerikan.

     Si formohet qumështi i nënës?

    Gjatë shtatzënisë ndodhin ndryshime strukturore për prodhimin e qumështit në gjinjtë e nënës. Bashkë me lindjen gjinjtë fillojnë të prodhojnë qumësht. Kur bebet thithin gjirin e nënës, stimuluesit e krijuar kalojnë me anë të nervave në trurin e nënës dhe në këtë mënyrë dalin hormonet nga truri që mundësojnë prodhimin e qumështit. Këto hormone kalojnë nëpërmjet gjakut tek gjiri i nënës dhe luajnë rol në fillimin e prodhimit të qumështit dhe vazhdimësinë e tij.

    A duhet ushqyer me gji bebja që sapo lind?

    Sa më shpejt të fillojë dhënia e gjirit, aq më shpejt dhe me shumicë vjen qumështi i nënës. Për këtë arsye nënat pas lindjes normale duhet të fillojnë të japin gji që në tavolinën e lindjes. Nënat që lindin me operacion cezarian duhet të japin gji që pa u zgjuar plotësisht me ndihmën e dikujt tjetër.

    Ditët e para, sasia e qumështit të nënës është e pakët. A është normale kjo?

    Qumështi i gjirit ditët e para është i pakët. Për disa ditë prodhimi i qumështit arrin pikën maksimale dhe plotëson gjithë nevojat e bebes.

    Bebet lindin me një rezervë energjie dhe uji që mjafton për 3-4 ditë. Për këtë arsye, bebes nuk i duhet dhënë ujë, ujë me sheqer, mama apo ushqime të ngjashme në ditët e para, meqë qumështi i nënës është i pakët.

    Nëse fëmijës i jepen ushqime shtesë veç qumështit të nënës në orët dhe ditët e para, ai thith më pak gjirin e nënës dhe prodhimi i qumështit ulet. Është e gabuar të presësh prodhimin e qumështit të gjirit pa dhënë gji dhe gjatë kësaj kohe t’a ushqesh beben me ushqime shtesë. Në mënyrë që qumështi i nënës të jetë i shumtë dhe për një kohë të gjatë, bebet pas lindjes nuk duhet të marrin asnjë ushqim tjetër përveç qumështit të nënës. Duhet këmbëngulur në dhënien e qumështit të gjirit. Sasia e qumështit rritet pas lindjes në ditët 3 dhe 4. Prandaj, jepini gji bebes tuaj pa u shqetësuar dhe me durim.

    A është i rëndësishëm qumështi i nënës?

    Pas lindjes, qumështi që vjen 3-4 ditët e para dhe që është i pakët, quhet “qumështi i parë” ose në gjuhën shkencore “kolostrum”. Ky qumësht ka veti të ruajë beben nga shumë sëmundje të shkaktuara nga mikrobet e ndryshme. Bebet duhet ta marrin patjetër këtë qumësht. Hedhja dhe mosdhënia e këtij qumështi fëmijës sipas besëtytnive të vjetra është gjëja më e keqe që i bëhet bebes.

    Sa duhet të jetë koha midis dhënies së gjirit?

    Bebet duhen ushqyer sa herë që qajnë dhe sa herë që duan. Nuk duhen ushqyer me orare fikse të përcaktuara rreptësisht. Nuk duhet të harroni që sa herë që fëmija thith gjirin e nënës aq më shumë prodhohen hormonet e qumështit dhe aq më shumë shtohet sasia e qumështit. Disa bebe duan të flenë më shumë se 3 orë. Në këtë rast ato duhen zgjuar dhe nuk duhet kaluar më shumë se 3 orë midis dy ushqyerjeve. Kjo vlen edhe për natën.

    Cili është pozicioni i duhur gjatë dhënies së gjirit?

    Nëna duhet të jetë ulur kur është duke dhënë gji. Nëse është e mundur ajo duhet të rrijë në pozicionin drejt. Në krahun ku ndodhet bebi vihet një jastëk për mbështetje, ose bërryli mbështetet në kolltuk. Bebja mbahet në mënyrë që koka dhe trupi të jenë në një drejtim. Trupi dhe këmbët janë të drejtuara poshtë, krahu vihet midis kokës dhe shpatullave. Krahu dhe dora janë si mbështetëse nga mbrapa për bebin.

    Kur jepet gji vazhdimisht krijohet një lidhje me sy me bebin dhe i flitet me një zë të butë. Në mënyrë që vrimat e hundës të mos mbyllen, shtypet gjoksi lehtë me gishtin tregues. Bebet nuk duhen ushqyer në pozicionin shtrirë ose duke u përkulur mbi to, sepse qumështi mund të kalojë në rrugët e frymëmarrjes dhe si pasojë shkaktohet mbytje, vdekje apo infeksion i veshit të mesëm.

    Cila është teknika e duhur e dhënies së gjirit?

    Qumështi i nënës mblidhet rreth pjesës me ngjyrë te koka e gjirit. Në mënyrë që bebi të ushqehet sa më mirë, ai duhet të marrë në gojë edhe kokën e gjoksit, edhe pjesën kafe rreth saj. Nëse bebi merr vetëm kokën e gjoksit, atëherë ai nuk ushqehet mjaftueshëm me qumësht, koka e gjirit çahet, gjakoset dhe këputet për një kohë të shkurtër. Si përfundim, nëna nuk mund të jap gji nga dhimbja, qumështi prodhohet më pak dhe fëmija nuk ngopet. Për këtë arsye, bebi duhet të thithë kokën e gjoksit bashkë me zonën ngjyrë kafe rreth saj.

    I jepet ujë bebes që ushqehet me qumështin e nënës?

    87% e qumështit të nënës është ujë. Bebi merr ujin e nevojshëm nga qumështi i nënës. Kështu nëpërmjet gjirit bebi merr ujin e nevojshëm, ushqehet më shumë, si edhe bën që të prodhohet më shumë qumësht. Nëse bebes i jepet ujë, ajo ushqehet më pak dhe prodhimi i qumështit pakësohet. Uji ka mikrobe të cilat mund ta sëmurin bebin, kurse qumështi i nënës është steril pasi është i pasur me përbërës mbrojtës ndaj mikrobeve dhe është ushqimi ideal për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Për këtë arsye, bebit që ushqehet mjaftueshëm me qumështin e nënës nuk i jepet as ujë.

    Uji i përdorur nëse është nga rubineti i çezmës ose nga burime jo të sigurta, ai duhet të vlojë për 15 minuta. Uji që mbetet pas vlimit në enën mblidhet në nje enë tjetër të pastër. Uji i shisheve që janë firma të sigurta prodhimi mund të mos zihet. Në fillim uji jepet me biberon dhe drejt moshës një vjeç përdoren gota me kapak që e kanë grykën me shumë vrima dhe më vonë bebes mund t’i jepet ujë me gotë.

    A duhet ndryshuar gjiri gjatë pirjes?

    Dhënia e gjirit bëhet me të dy gjinjtë njëkohësisht. Domethënë gjatë një pirjeje fëmijës i jepet qumësht nga gjiri i majtë dhe i djathtë.

    Gjiri i parë zbrazet më mirë ngaqë fëmija është i uritur, kurse i dyti zbrazet më pak ngaqë bebi ngopet. Prandaj kur jepet gji, fillimisht jepet gjiri që është përdorur në fund në pirjen e mëparshme. Kjo mënyrë bën që gjinjtë të zbrazen plotësisht dhe që të rritet prodhimi i qumështit. Nëse jepni gji gjithmonë vetëm në një anë në fillim, gjiri tjetër nuk zbraset dhe ulet prodhimi i qumështit, derisa ai gji nuk prodhon më. Sa më mirë të zbrazen gjinjtë gjatë thithjes, aq më shumë prodhohet qumësht. Për këtë arsye, në çdo ushqyerje duhen përdorur të dy gjinjtë njëkohësisht dhe dhënia e gjirit duhet filluar nga gjiri që është përdorur i fundit në ushqyerjen e mëparshme.

    Sa duhet të zgjasë dhënia e gjirit ?

    Ushqyerja zakonisht zgjat 10-15 minuta për çdo gji, gjithsej 20-30 minuta dhe kjo është e mjaftueshme. Gjatë kësaj kohe gjinjtë boshatisen plotësisht, prandaj thithja e mëtejshme nuk jep më qumësht. Bebet zakonisht i zë gjumi kur janë duke pirë gji, sepse ngopen dhe kanë një ndjenjë sigurie që krijohet nga të qëndruarit në krahët e nënës, nga lëkura e butë dhe era e nënës. Prandaj bebet duhen mbajtur zgjuar gjatë thithjes me stimulues fizik. Bebi që fle nuk ngopet plotësisht, ai zgjohet më herët dhe kërkon thithje të shpeshta. Kështu lodhen edhe nëna, edhe bebi. Thithja për më shumë se 30 minuta shkakton dëmtim të kokës së gjirit.

    Bebet që duan të thithin më shumë se 20-30 minuta, nuk e kanë nga ushqyerja, por sepse duan të luajnë me gjirin.

    A ndryshon qumështi në fillim dhe në mbarim të dhënies së gjirit?

    Koha ideale e ushqyerjes nga njëri gji është 10-15 minuta. Qumështi i fillimit ka shumë sheqer, kurse i fundit ka më shumë yndyrna. Yndyrnat e qumështit sigurojnë ngopje dhe energji. Nëse bebi ushqehet për një kohë të shkurtër, ai merr më shumë sheqer. Ngaqë nuk ngopet, ai ngrihet shpesh dhe qan. Sheqeri i tepërt shton edhe dhimbjen e barkut. Bebet që ushqehen mjaftueshëm me qumësht që ka yndyrna të larta, flenë më gjatë dhe më të qetë. Prandaj thithja duhet bërë me kohë të plotë.

    Si nxirret koka e gjirit nga goja?

    Bebet që ngopen zakonisht e lënë vetë gjirin kur bien në gjumë. Disa bebe, edhe pse janë në gjumë e mbajnë fort gjirin në gojë. Nëse e tërhiqni beben ose gjirin, kjo mund të shkaktojë dëmtim dhe dhimbje të kokës së gjirit. Në mënyrë që ta nxirrni lehtë kokën e gjoksit nga goja e bebes, vendosni gishtin lehtë brenda gojës së bebes duke filluar nga cepi i gojës. Sa hyn gishti në gojë, bebi e lë gojën të lirë dhe gjatë kësaj kohe gjiri tërhiqet ngadalë nga goja.

    Si bëhet pastrimi i gjirit?

    Gjiri mjafton të pastrohet dy herë në ditë me copë me sapun dhe më pas me copë të thatë. Lëkura mbetet e butë nga yndyra që prodhon vetë ajo. Nëse e pastroni shpesh gjirin, lëkura thahet dhe tërhiqet. Pas thithjes krijohen çarje me pak gjakosje, prandaj nuk është e nevojshme të pastroni gjirin pas çdo thithjeje. Qumështi i fundit ka shumë yndyrna dhe mund të lyeni me të kokën e gjirit dhe pjesën rreth saj që lëkura të mbetet e butë. Mund të përdorni edhe krem (kremi Bepanthen, Decubal, Hametan). Nuk duhet të përdorni ujë me sodë për pastrimin e gjirit.

    A humbet fryrja e gjinjve?

    Javët e para nëna ndien fryrje të gjoksit. Pas çdo thithjeje, kjo fryrje ulet dhe krijohet përsëri para thithjes tjetër. Në javën e 3 dhe 4 pas lindjes, ndjenja e fryrjes ulet dhe nënat kujtojnë se është ulur sasia e qumështit, por kjo situatë është normale. Prandaj nuk duhet pasur frikë dhe nuk duhet filluar ushqimi shtesë.

    Si duhet ushqyer nëna që jep gji?

    Nëna që jep gji duhet të ushqehet në mënyrë të balancuar për shëndetin e saj dhe të bebit. Sasia e qumështit varet nga thithjet e shpeshta, por edhe nga ushqimi i balancuar i nënës, prandaj duhen marrë ushqime të shumëllojshme. Dieta për t’u dobësuar pas lindjes shkakton uljen dhe ndërprerjen e prodhimit të qumështit. Regjimi për t’u dobësuar duhet bërë vetëm pasi bebi të ndërpresë thithjen e gjirit me dëshirën e tij.

    Nënat duhet të ushqehen në ditë me 4 vakte kryesore. Pas çdo thithjeje duhet të marrin një gotë qumësht, komposto, kos, dhallë, lëng frutash, sultiash, mualebi ose ushqime të ngjashme. Këto ushqyerje të vogla ndihmojnë në përgatitjen e qumështit tjetër. Asnjë ushqim i nënës nuk ndikon te formimi i gazit te bebi. Por ushqimet me hudhra, të tharta dhe djegëse prishin shijen e qumështit dhe mund të shkaktojnë mospranim të bebes për ta pirë atë.

    A është i mjaftueshëm qumështi i gjirit?

    Bebet që ushqehen me qumësht gjiri kanë zhvillim të shëndetshëm. Nëse një bebe, rritet normalisht në peshë çdo muaj vetëm duke marrë qumësht gjiri, nuk i jepet asnjë ushqim shtesë, madje as edhe ujë. Qarja e shumtë e bebit, dëshira për të thithur shpesh, mospasja e gjumit etj., nuk do të thonë që qumështi është i pamjaftueshëm.Ka bebe që pavarësisht peshës normale, qajnë shpesh, ka edhe bebe që nuk rriten mirë në peshë dhe që nuk qajnë fare. Mënyra më e mirë për të parë nëse qumështi është i mjaftueshëm ose jo, është matja e peshës së bebit.Pesha e fëmijës duhet matur çdo muaj dhe të bëhet ndjekja e rritjes dhe zhvillimit te mjeku. Pesha matet kur fëmija ka vetëm pelenat mbi trup. Nëse pesha nuk është ajo që duhet, atëherë mund të fillohen ushqime shtesë.

    Qumështi i nënës apo artifcial?

    Qumështi i nënës është ushqimi ideal i bebit. Ai është ekonomik dhe nuk kërkon para, mund të jepet kudo në kushte të pastra dhe në temperaturën e duhur, nuk ka nevojë për përgatitje. Fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri sëmuren më pak dhe kjo është një e vërtetë shkencore. Gjiri i nënës ka edhe ndikim psikologjik te fëmija, sepse ai është ambjenti më i qetë dhe i rehatshëm për bebin. Bebet e ushqyera me qumësht gjiri kanë më pak probleme me jashtëqitjen. Sëmundjet e alergjisë janë më të rralla te fëmijët e ushqyer me qumësht gjiri. Nënat që japin gji kanë më pak gjakrrjedhje pas lindjes. Kanceri i mitrës dhe gjirit ndeshet më pak, prandaj dhënia e gjirit është e mirë për shëndetin e nënës dhe bebit

    Shpërndaje postimin:

    spot_imgspot_img

    Të popullarizuara

    spot_imgspot_img

    Artikuj të ngjajshëm
    Artikuj të ngjajshëm

    Pushimet shijojnë më shumë me Prime Travel

    Ndërsa ditët e diellit të gushtit i lënë butësisht...

    Dëshironi të vraponi më shpejt, ndiqni këto tri këshilla

    Të gjithë e kemi dëgjuar frazën se duke e...

    Dëgjoni këto këngë për seks të ngadaltë dhe sensual

    Muzika mund të ndikojë në dëshirën tonë seksuale. Kështu...

    Çfarë është shtatzënia ektopike?

    Një shtatzëni ektopike mund të jetë një ngjarje shkatërruese...