Vështirësitë rreth ngjizjes (fertilitetit) për fëmijën e dytë

Shumë faktorë fizik, emocional dhe ndryshimit të jetesës pas fëmijës së parë mund të ndikojnë në gjasat tuaja për t’u bërë shtatzënë përsëri. Edhe pse shumë më tepër vëmendje i kushtohet infertilitetit primar, as infertiliteti sekondar nuk është aq i rrallë. Kjo paraqet situatën kur partnerët dështojnë për të arritur shtatzëninë pas një viti mardhënje të rregullta, seksit të pambrojtur, pavarësisht nga fakti se në të kaluarën kanë ngjizur një ose më shumë fëmijë pa ndonjë problem. Me këtë përballen rreth 11 për qind të çifteve.

Shkaqet

Infertiliteti sekondar është shkaktuar nga të njëjtat probleme që çojnë në infertilitet primar. Një e treta e rasteve kanë të bëjnë me burrat, e dyta me gratë, dhe e treta me problemet e të dy partnerëve (apo, më rrallë, mbetet e pashpjeguar). Disa nëna planifikojnë të kenë fëmijë njërin pas tjetrit, por në disa raste, trupit pas lindjes i nevojiten edhe 18 muaj deri në kthimin në normale. Sigurisht, kjo është individuale, por fakti i përmendur duhet të merret parasysh.

Vitet

Mund të jenë faktor i rëndësishëm, veçanërisht nëse keni qenë shumë të rinj kur keni pasë fëmijën tuaj të parë, apo keni filluar vonë me krijimin e familjes.

Zakonet

Nëse keni krijuar një shprehi të keqe të pirjes së duhanit ose keni rritur konsumimin e alkoolit që nga shtatzënia juaj e fundit, kjo gjithashtu mund të jetë një faktor infertiliteti. Këtu përfshihen edhe mungesa e gjumit (nevojiten të paktën shtatë orë) dhe stërvitjet, por edhe frymëmarrja e parregullt (me bark – frymëmarrja abdominale është më e mirë se e „cekët“, – me anë të pjesës së sipërme të mushkërive), si dhe shqetësimi emocional.

Pesha

Nëse keni shtuar apo humbur shumë në peshë që nga lindja e fëmijës së parë, kjo mund të shkaktojë infertilitet sekondar. Indeksi i peshës trupore, i cili paraqet marrëdhënien mes peshës dhe gjatësisë, është tregues i shkallës së të ushqyerit. Nëse te ju është tepër i lartë apo i ulët, mund të ndikojë në ovulacion. Prandaj, përpiquni të mbani peshën në balancë të shëndetshme.

Ushqimi

Të ushqyerit joadekuat ndikon keq në fertilitet (sidomos dietat dhe ngrënia e tepërt). Rreth një e treta e grave nuk i plotësojnë nevojat e organizmit për hekur (rezerva e të cilit është zvogëluar pas shtatzënisë së parë), dhe një e treta për kalcium. Megjithatë, me një mënyrë të shëndetshme të të ushqyerit nevojiten rreth tre muaj që „rezervat tuaja ushqimore“ të kthehen në pozitë normale sikur pas lindjes së fëmijës. Nëse fëmija është në gji, nevojiten gjithashtu rreth tre muaj pasi të ndaloni me dhënien e gjirit. Mos harroni acidin folik, të cilin duhet ta merrni nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë (gjashtë muaj përpara shtatzënisë së pritur).

Shmangni ushqimet me një indeks të lartë glikemik (shpejtësia me të cilën ushqimi zbërrthehet dhe shëndrrohet në glukozë, e cila është lëndë djegëse për organizmin). Trupi më së shpejti i zbërrthen karbohidratet – ato janë energjia kryesore e tij, kurse mbikonsumimi i tyre është shkaktari për shtimin në peshë. Në anën tjetër, ushqimi me indeks të ulët glikemik ngadalë lëshon sheqerin në gjak, duke e mbajtur gjatë ndjenjën e të ngopurit pas ngrënies.

Mungesa e përkrahjes

Shpesh ndodh që çiftet, te të cilët ka ndodhur infertiliteti sekondar përballen me moskuptimin e rrethit. Meqë ata tashmë kanë një fëmijë, luftën e tyre për më shumë pasardhës nganjëherë e anashkalojnë apo injorojnë edhe familjarët dhe miqtë. Për këtë arësye disa heqin dorë nga përpjekja madje gjatë procedurës diagnostike. Megjithatë, nuk duhet ta bëjnë këtë. Nevoja e tyre për trajtim është e njëjtë si te çiftet me infertilitet primar.

Gjendja e përgjithshme shëndetësore

Shumë sëmundje – si diabeti, hipertensioni (presioni i lartë i gjakut), astma ose artriti – mund të ndikojnë në fertilitet, si dhe barnat që përdoren për shërimin e tyre (për shembull, për rregullimin e tensionit të lartë ose uljen e kolesterolit).

Mukusi cervikal

Ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në gjendjen e mukusit tuaj vaginal, i cili në disa raste mund të jetë një mjedis armiqësor për spermën. Nëse bëhet shumë e trashë apo ngjitëse, madje edhe spermatozoidet e shëndetshëm do të kenë problem me „notimin“ përmes saj deri te qafa e mitrës (cerviksit), në mënyrë që të takohen me vezoren tuaj. Përdorimi i lubrifikantëve, antihistamineve (medikamenteve kundër alergjive) dhe preparateve të cilët lehtësojnë mbylljen e pjesës së sipërme të traktit respirator), si dhe infeksioni vaginal mund të ndikojnë në sekretimin e mukusit cervikal.

Bllokimi i tubave fallopiane

Vezorja juaj dhe sperma e partnerit tuaj mund të janë krejtësisht të shëndetshme, por deri sa nuk takohen dhe të bashkohen në mjedisin „ideal“, nuk do të mbeteni shtatzënë. Sidomos nëse tubat tuaj fallopian janë bllokuar pas shtatzënisë së parë. Dëmtimi i vezores është përgjegjës për rreth 15 për qind të rasteve të infertilitetit sekondar. Ka shumë shkaqe, duke përfshirë pjesët e dala të shkaktuara nga prerja cezariane, komplikacione të ndryshme në shtatzëni, infeksionet, sëmundjet inflamatore të legenit, fibroidet, endometrioza.

Mungesa e ovulacionit

Në rreth 30 për qind të rasteve të infertilitetit sekondar, fajtori është mungesa e ovulacionit. Shkaqet përfshijnë edhe sindromin e vezoreve policistike (PCOS), nivelin e lartë të prolaktinit dhe hormoneve të gjëndrës tiroidale (veçanërisht TSH), disa sëmundje kronike, ndryshime ekstreme në peshë, stërvitje jashtëzakonisht e zgjatur… Përveç preparateve të mjekësisë tradicionale, mund të janë të dobishme akupunktura, refleksologjia dhe fitoterapia. Nëse vuani nga sindromi i vezoreve policistike, kurse lehtë keni ngjizur fëmijën e parë, shtimi në peshë është një faktor i mundshëm për vështirësinë e tanishme për të mbetur shtatzënë – kjo ndalon ovulacionin. Megjithatë, studimet kanë treguar se edhe humbja e vogël e peshës mund ta rikthejë ovulacionin.

Hormonet

Te infertiliteti sekondar është shpesh i pranishëm çrregullimi i nivelit të disa hormoneve (zakonisht ulja e progesteronit ose çrregullimi i funksionit të gjëndrës tiroidale). Për këtë arsye, është e nevojshme të zbatohet trajtimi i duhur. Te gratë me endometriozë, problemi mund të jetë mbiprodhimi i prostaglandinit, hormon që luan rol të rëndësishëm në fertilizimin dhe mbjelljen e embrionit.

Koagulimi

Është e mundur të ekzistojë çrregullim në lidhje me faktorë të koagulimit (mpiksjes së gjakut), ose disa antitrupave specifike në gjak, gjegjësisht disa sindromave të imunitetit – që kërkon trajtim të detyrueshëm.

Endometrioza

Kur qelizat e endometriumit – mukozës së mitrës, ndodhen jashtë këtij organi, vjen deri te një sëmundje kronike e quajtur endometrioza. Nëse implantohet jashtë mitrës, indi endometrial reagon në ndryshime të nivelit të hormoneve në trupin e gruas gjatë ciklit menstrual, duke nxitur rritjen e tij. Kjo mund të shkaktojë inflamacion dhe formimin e indeve me plagë, duke shkaktuar dhimbje. Nëse indi endometrial është i pranishëm në tubat fallopiane, shpesh vjen deri te padepërtueshmëria e tyre, e cila shpesh shkakton sterilitet. Te dëmtime të vogla, operacioni mund të jetë opsion për rikthimin e fertilitetit, por në raste më të rënda – opsioni më efikas është fertilizimi in vitro, teknikë klasike laboratorike e fertilizimit jasht-truporë.

Fibroidet

Këto janë ‘degëzime’ (deformime, të dala) të indit lidhës, të cilët mund të formohen në mitër ose brenda saj (murit muskulor apo qafës së mitrës), duke ndryshuar formën dhe madhësinë e saj. Fibroidet zakonisht janë të padëmshme, kurse në shumicën e rasteve nuk tregojnë simptome, edhe pse mund të jenë problematike në rreth 20 për qind të grave. Më karakteristike janë te gratë mbi 35 vjet.

Stresi

Edhe pse disa mjekë refuzojnë lidhjen mes stresit dhe fertilitetit, shumë megjithatë besojnë se lirimi i kortizolit – një hormon stresi mund të çrregullojë barazpeshën delikate hormonale dhe të shkaktojë „kaos“ sa i përket proceseve riprodhuese në trup. Ata besojnë se stresi është një nga shkaqet kryesore të infertilitetit sekondar.

Problemi te partneri mashkull

Gratë shumë shpejt fajësojnë veten për infertilitet, por ekziston mundësia reale se problemi qëndron te partneri. Studimet e fundit kanë treguar se cilësia dhe sasia e spermës edhe te meshkujt fillon të ulet pas 35 vitesh. Probleme mund të lindin edhe si pasojë e sëmundjeve, lëndimit, stresit apo ndikimi i mjedisit. Mund të ketë „pengesë në sistemin e dërgimit të farës“, kurse në disa raste, çrregullim të sistemit mbrojtës – i cili shkakton që trupi të zhvillojë antitrupa kundër spermës së vetë. Antitrupat mund të „kapen“ në sipërfaqen e spermatozoidëve dhe të pengojnë lëvizjen e tyre apo aftësinë për fekondimin e vezores.

Kontrollimi në kohë

Duke supozuar se infertiliteti „nuk mund t’i ndodhë atyre“, sepse tashmë janë dëshmuar si prindër, dhe se bëhet fjalë për vështirësi të përkohshme, çifti i cili përjeton infertilitet sekondar mund ta anashkalojë kërkimin e ndihmës për problemet e tyre (të presin më shumë se një vit i rekomanduar për gratë më të reja se 35 vjet dhe gjashtë muaj për gratë mbi 35 vjeç). Mirëpo, zvarritja e ekzaminimit të shkakut shpesh do të thotë më pak mundësi për sukses të shërimit, sepse disa shkaqe të infertilitetit me kohë mund të përkeqësohen – siç është endometrioza apo rritja e fibroideve. Në shumë raste, ndodhë shtyrje e shtatzënisë në mes të fëmijës së parë dhe të dytë, në një kohë kur funksioni riprodhues zvogëlohet.

Kulmi i fertilitetit të gruas është nga mesi i viteve të 20-ta deri në fillim të 30-ave, zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme nga 35 vjet, dhe sidomos pas moshës 40 vjeç. Nga mosha 45 vjeç, shansi për shtatzëni është gjashtë për qind për cikël. Të gjitha gratë lindin me të gjitha qelizat e vezoreve që do t’i kenë ndonjëherë. Sa më të moshuara, aq më gjatë janë të ekspozuara ndaj ndikimit të mjedisit, i cili mund të zvogëlojë cilësinë e tyre apo, madje, të shkaktojë mutacione delikate të gjenit. Me kalimin e kohës vjen deri te zvogëlimi i rezervave të qelizave të vezoreve. Bëhet fjalë për fenomen fiziologjik, i cili është individual dhe i kushtëzuar nga faktori gjenetik. Mesatarisht, cilësia e qelizës së vezores është më e dobët pas 38 vjeç. Vezoret e cilësisë së dobët mund të pllenohen, por shumë gra spontanisht i abortojnë madje edhe para se ta kuptojnë se janë shtatzënë.

kosovarja.ch