Për shtatzëni nuk mund të jemi plotësisht të pregatitura sa do që të lexojmë dhe bisedojmë për të sepse kjo përvojë nuk mund të përshkruhet me fjalë, por duhet të përjetohet
Shumica e shtatzënave në kokë kanë pamjen filmike të shtatzënisë. Supozojmë se do të kemi dëshirën e parrezistueshme për ushqimin e caktuar, se do të përjetojmë vrull emocionesh përderisa presim të na plasin ujërat dhe burrin me zërin e borisë ta zgjojmë në panik për në spital. Ndoshta mund të realizohet kjo pamje filmike, por shtatzënia sjell shumë më tepër.
- Pak më thellësisht ta hetoni dhe analizoni partnerin
Shkathtësia e tij me financat, fjalori i tij, mënyra e tij e sjelljes edhe më shumë do të qëndrojnë nën lupë (zmadhuese) dhe sulmin e kritikave dhe analizave tuaja. Sepse ai nuk është më super-djali shumë i dashur, i mirë. Ai është babai i fëmijës tënd dhe duhet të jetë model dhe idhull në të cilin do të pasqyrohet një ditë.
- Njëkohësisht do të bëhet edhe më i afërt
Fëmija juaj është lidhja e pashkëputur për tërë jetën. Pyesni veten a do të ketë duart e tij, buzëqeshjen, karakterin. Do të mendoni për momentet e përbashkëta që, në një të ardhme të afërt, do ti ndani bashkarisht me fëmijën tuaj.
- Është e pamundur të mos dëshironi (së paku në fshehtësi) gjini të caktuar
Edhe pse ndoshta këtë nuk do të ja tregoni kurrë askujt dhe vazhdimisht do ta përsëritni se më e rëndësishme është që gjithçka të shkojë mirë, në fshehtësi megjithatë do të shpresoni se foshnja do të jetë e gjinisë së caktuar. Dhe kjo nuk është çështje dashurie. Fëmijën tënd thjeshtë do ta duani, por prapseprap nuk mundemi kundër vetes. Madje mund të ndjeni edhe pak xhelozi nëse mikja juaj lind fëmijën e gjinisë që ju keni dëshiruar. E tërë kjo është normale.
- Do të krenoheni me veten dhe trupin tuaj
Për shkak të transformimeve që po kaloni dhe pavarësisht nga të përzierat, pesha, urthi dhe vështirësitë tjera, do të jeni tepër krenare, e lumtur, e veçantë. Do të ju bëj të qani shikimi në ultrazë, do të ju zbusin të rrahurat e zemrës, do të ju magjepsë plotësisht lëvizja e fëmijës tuaj.
- Tre muajt e parë janë më të vështirët
Të vjella, ligështi, mungesa e forcës, frika nga aborti dhe shumë probleme dhe mëdyshje tjera i bëjnë tre muajt e parë të shtatzënisë më të vështirët gjatë tërë shtatzënisë. Përveç kësaj, barku nuk është akoma i dukshëm, nuk po e ndjeni foshnjën, ashtuqë disi nuk po ndjeheni shtatzënë. Duroni edhe pak, tremujorshi i ardhshëm është periudhë e mrekullueshme.
- Do ta kuptoni se përzgjedhja e emrit është mjaft stresive
Përderisa shoqet tuaja ishin shtatzënë, nuk e keni kuptuar e tërë atë dramë rreth emrit. Por një ditë kur edhe ju vetë do ta pritni më të vlefshmen tuaj, mund të ju duket se asnjë emër nuk është mjaft i mirë. Përveç kësaj, çdokush do të ketë propozimin apo ankesën e tij. Ju do të keni listën tuaj, partneri të veten. Dhe të mos përmendim shpresat e gjysheve dhe gjyshërve të ardhshëm.
- Edhe para se të lindni, do të ndjeni një lidhje të fortë me foshnjën tuaj
Do të ndjeheni si nënë. Do të filloni të jetoni më shëndetshëm, të ushqeheni më shëndetshëm, ndoshta do t’i largoni dhe ca zakone, si duhanpirjen dhe filxhanat e kafesë. Do të bisedoni me nënat dhe shtatzënat tjera, nuk do të ju pengojë zhurma e fëmijëve tjerë. Do të silleni si mbrojtëse ndaj ‘arit’ tuaj të vogël, të cilin vetëm sa nuk e keni njoftuar.
- Mezi do të prisni të fillojë procesi
Me kalimin e muajve, do të bëheni sa më e madhe, do të jeni gjithnjë më e parehatshme, do të ndjeheni gjithnjë më e lodhur dhe mezi do të prisni që gjithçka të fillojë dhe mbarojë ashtuqë më në fund foshnjën tuaj ta çoni në shtëpi.
- Për shkak të shtatzënisë do të ju shtrojnë shumë pyetje personale
E pazakontë, por kur jeni shtatzënë, të gjithë ndjejnë se kanë të drejtë të shtrojnë pyetje të cilat në fakt nuk do të duhej të ju interesojnë. Sa jeni trashë, a planifikoni ta ushqeni me gji, kur do të filloni me shtimin e ushqimit, çka mendoni për pelenat e pëlhurës dhe shumë gjëra private dhe intime të cilat do të duhej të mbeteshin si të tilla.
- Ndonjëherë do të hani edhe atë që nuk do të duhej
Pa marrë parasysh se sa kujdeseni, megjithatë do të ju shpëtojë ndonjë ‘fast food’, ndonjë copë tortë apo ndonjë mëkat tjetër i ëmbël. Me rëndësi të mos jetë e tepërt, shumë shpesh dhe të jeni e lumtur, e jo e ngarkuar me fajin se keni ngrënë një copë tortë më shumë.
- Do të ndjeni vetëbesim të ri
E pabesueshme se si ndryshon perspektiva e jetës kur mbeteni shtatzënë. Do të ndjeheni krenare, posaçërisht, sikur të keni një qëllim më të madh dhe më të thellë. Për këtë nuk është çudi kur shumë prindër thonë se sa foshnja i’u ka ndryshuar prioritetet e tyre në jetë.
- Do të jeni më e afërt me prindërit
Do të ndjeni brengosjen e tyre, por edhe gëzimin dhe lumturinë që do të bëhen gjyshe dhe gjyshër. Ngapak do ta kuptoni brengën dhe përgjegjësinë e tyre që kanë përjetuar për ju. Megjithatë, do të sjellni një mrekulli të vogël e cila edhe atyre do t’i ndryshojë plotësisht jetën./kosovarja.ch/